Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se njëri prej dy sulmuesve të mitur që e rrahën për vdekje 18-vjeçarin Lulzim Fejzullahu, është i dënuar me 3 vjet burgim për një rast të mëhershëm.
Bulliqi tha se ai ka pasur “9 vepra të ndryshme penale”.
“Njëri prej individëve që dyshohet se është pjesë e këtij rasti, është nxënës i një shkolle të mesme në qytetin e Podujevës, ndërsa tjetri ka dy apo tri vite që ka qenë nxënës i shkollës, i cili për sjellje jo të mira është larguar nga shkolla dhe ka braktisur shkollimin e mëtejshëm pas disa veprave që i ka bërë qoftë në shkollë, qoftë në ambientet tjera. U informuam nga organet e rendit që organet e rendit e kanë kryer punën e tyre, kanë inicuar rastet. Me këto raste është marrë gjyqësia dhe prokuroria, dhe njëri prej tyre, në këtë fazë kur ka ndodhur tash rasti, faktikisht ka qenë i dënuar me 3 vite e gjysmë burgim për një rast të mëhershëm dhe faktikisht ka pasuar ky rasti që është aktualisht”, tha Bulliqi para gazetarëve, pas një mbledhje të Këshillit për Siguri në Bashkësi në Komunën e Podujevës.
“Njëri prej tyre është me diku 9 vepra të ndryshme penale, i cili është hetuar dhe organet e drejtësisë dhe prokuroria e kishin dhënë fjalën e tyre me këtë dënim”, tha Bulliqi.
“Ndërsa i dyti, i cili është bashkëpjesëmarrës, nuk është që ka të hapur ndonjë rast nga organet e rendit”, tha ai.
Për të dytin, Bulliqi tha se “ai nuk është që është nxënës i mirë”.
“Është nxënës i cili nuk ka treguar rezultat të mirë në shkollë. Është nxënës të cilit i është thy nota e sjelljes dhe ka pasur një numër të madh mungesash”, tha kryetari i Podujevës.
Ai tha se nuk kanë evidentuar ndonjë lëshim nga organet e Arsimit në këtë Komunë.
“Rasti ka ndodhur jashtë objektit të shkollës. Drejtoria e shkollës ka marrë veprime. Është larguar për një muaj. Është kthyer prapë në shkollë dhe prapë ka vazhduar me veprime të tilla”, tha Bulliqi. “Prindi i tij ka shkuar dhe i ka tërhequr dokumentet nga shkolla”, tregoi ai.
Ai foli edhe për viktimën, për të cilin tha se qytetarët “thonë që ka qenë djalë i sjellshëm”.
Duke folur për veprimet që tha se i ka marrë Drejtoria e Arsimit në Podujevë, Bulliqi tha se “pothuajse të gjitha institucionet shkollore i kemi mbuluar me kamera të sigurisë”.
“Dukuri të tilla ndodhin edhe në vendet më të zhvilluara të botës”, tha ai.
“Ka një verdikt. A është i mirë a i keq ai verdikt, unë nuk jam kompetend të flas për të. Mirëpo nëse ka 10, 9, 8 vepra penale dhe kalon me këtë sanksion çfarë po thuhet që ka qenë, duhet me analizu këtë çështje se çka mund të jetë problemi”, tha Bulliqi.
“Gjendja e sigurisë në Komunën e Podujevës nuk është që është e keqe”, tha kryetari i Podujevës.
DTV