Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media pas samtit “Ballkani Perëndimor takon BE-në” të mbajtur në Shkup, ka thënë se ai sa herë që i vjen mundësia kërkon që të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Ai ka thënë aktualisht dialogu po zhvillohet në nivel të kryenegociatorëve dhe se nuk ka diçka të re sa i përket ndonjë takimi të mundshëm të nivelit të lartë.
“Në vitin 2023 që sapo lamë pas, kemi pasur tri sekuestrime masive të armatimit e municionit në veri të Kosovës, më 23 qershor, 5 shtator e 24 shtator kur edhe e vranë rreshterin tonë policor, heroin e kombit Afrim Bunjaku. Gjithë armatimi ishte prodhuar në Serbi e erdhi nga Serbia. Kur kësaj ia shtojmë faktin se grupi paramilitar në masë të madhe pjesëtarët e atij grupi janë të lirë në Serbi me në krye Milan Radoiçiqit., atëherë masat e sigurisë janë të domosdoshme”, ka thënë Kurti.
I pyetur për nismën “Ballkani i Hapur”, Kurti ka thënë para mediave se ai s’është mjaftueshëm evropian e plani për zgjerimin e BE-së “është mjaftueshëm i hapur”.
“Ballkani i Hapur s’ka strategji zhvillimore, s’i ka rregullat e Bashkimit Evropian e as transparencën”, ka shtuar ai.