Policia e Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës ka bërë të ditur se ka arrestuar dy të dyshuar, pas raportimeve të katër grave se i janë vjedhura çantat e krahut, gjersa ishin duke ecur rrugës.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut bëri të ditur për Telegrafin se dy personat e arrestuar kanë pranuar se i kanë vjedhur çantat.
“Në Stacionin Policor, Mitrovicë veri, nga data 11.01.2024 deri më 22.01.2024 janë raportuar 4 raste në të cilat viktima kanë qenë femra të nacionalitetit serb, e të cilave nga persona të panjohur u janë vjedhur çantat e krahut derisa të njëjtat kanë qenë duke ecur rrugës”, bëri të ditur Elshani.
Të dyshuarit Njazi Hajrullah Salihu (21.02.1998) dhe Senad Qun Hajdini (17.03.1992) janë arrestuar më 22.01.2024 nga Policia e Stacionit Policor në veri të Mitrovicës rreth orës 19:30 përballë Shtëpisë se shëndetit.
Rastet nga ana e Prokurorit dy janë cilësuar ‘Grabitje”, ‘Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje”.
Rasti i parë ka ndodh më 11.01.2024 rreth orës 18:30 në rrugën “Knjaz Millosh” ku viktimë ka qenë një femër e nacionalitetit serb, të cilës i është vjedh çanta në të cilën kanë qenë 50 euro, 4000 dinarë si dhe dokumentet personale të shtetit të Kosovës dhe dokumente të shtetit të Serbisë.
Rasti i dytë ka ndodh më 13.01.2024 rreth orës 20:20 në rrugën “Knjaz Millosh” ku viktimë ka qene një femër e re serbe, të cilës i është vjedhur çanta e krahut derisa ka qenë duke ecur rrugës e vetme. Me këtë rast të njëjtës i janë vjedhur dokumentet zyrtare.
Rasti i tretë ka ndodh më 20.01.2024 rreth orës 22:25 në rrugën “Kral Petar” në Mitrovicën veriore ku viktimë ka qenë një femër serbe të cilës i është vjedhur çanta e krahut, ku në të ka pas një telefon, para, si dhe dokumentet e Kosovës dhe dokumente të Serbisë.
Rasti i katërt ka ndodh më 22.01.2024 rreth orës 18:00 në rrugën “Knjaz Millosh” ku përsëri viktimë ka qenë një femër serbe e moshës së re, të cilës i është vjedhur çanta nga krahu dhe në të ka pas dokumentet personale të Kosovës dhe Serbisë.
DTV