Një komiteti i Senatit amerikan ka miratuar një legjislacion që do të ndihmojë Shtetet e Bashkuara të konfiskojnë asetet ruse dhe t’ia dorëzojnë ato Ukrainës për rindërtimin e shtetit, pas shkatërrimit të madh të shkaktuar nga lufta pothuajse dyvjeçare.
Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë votoi me 20 vota për dhe një kundër për miratimin e “Aktit për Rindërtimin e prosperitetit dhe mundësive ekonomike për ukrainasit”.
Nëse ky legjislacion kalon edhe në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe më pas nënshkruhet si ligj nga presidenti Joe Biden, akti do t’i hapte rrugë Uashingtonit që për herë të parë të mund të konfiskonte asetet e Bankës Qendrore nga një shtet me të cilin nuk është në luftë.
Senatori demokrat, Ben Cardin, që është kryetar i këtij komiteti, tha se është optimist që ky akt të shndërrohet në ligj, duke theksuar se ai ka mbështetje të gjerë, si nga demokratët, ashtu edhe nga republikanët në Senat dhe Dhomë, por edhe nga administrata Biden.
Edhe Komiteti i Çështjeve me Jashtë i Dhomës së Përfaqësuesve ka miratuar një legjislacion të ngjashëm, me mbështetjen e dy partive.
Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Japonia dhe Kanadaja kanë ngrirë afër 300 miliardë dollarë asete të Bankës Qendrore ruse më 2022, kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Nga këto asete, vetëm 5 deri në 6 miliardë dollarë janë në SHBA, dhe shumica gjenden në Evropë.
Zyrtarët amerikanë dhe britanikë kanë punuar për të konfiskuar asetet ruse me shpresën që udhëheqësit e Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara, të lëshojnë një deklaratë më të fortë, pas takimit në shkurt që do të zhvillohet afër përvjetorit të dytë të nisjes së luftës.
Udhëheqësit e G7-s që një kohë të gjatë kanë argumentuar se sipas të drejtës ndërkombëtare, Rusia e ka për obligim që të ndalë luftën dhe të paguajë për dëmet që ka shkaktuar, që tani vlerësohet se kap shifrën prej më shumë se 400 miliardë dollarësh, sipas Bankës Botërore. /REL/