Ish-ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Gjergj Dedajt i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kanosje ndaj presidentes, Vjosa Osmani.
“Presidentja Osmani nuk është informuar për një gjë të tillë”, është përgjigjur shkurt ai.
“Nuk më ka njoftuar askush për aktakuzën. Unë nuk e kam kërcënuar askënd. Osmani më ka kërcënuar autoritetin dhe më largoi nga detyra”, ka thënë ai.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka deklaruar se do të duhej të ndodhte informimi i presidentes nga prokuroria.
Miftaraj thekson se kjo praktikohet rrallë në Kosovë.
“Në çdo rast kur një parashtrues i kallëzimit penal lidhur me dyshimet për kryerjen e një vepre penale raporton rastin në prokurori do të duhej që prokuroria të informon parashtruesin e kallëzimit penal lidhur me vendimin për ngritjen e aktakuzës apo hedhjes së kallëzimit penal. Në praktikë rrallë herë ndodh që parashtruesit të informohen lidhur me ecurinë e procedurës penale respektivisht ngritjes së aktakuzës”, është shprehur ai.
Ndërsa, Miftaraj potencon se me ndryshmet në Kodin e Procedurës Penale, Prokuroi i Shtetit e ka obligim ligjor informimin e palës së dëmtuar lidhur me ecurinë e procedurës penale.
“Përderisa, me risitë e reja të Kodit të Procedurës Penale prokurori i shtetit e ka obligim ligjor që të informoj palën e dëmtuar që ka parashtruar kallëzim penal në rastet kur rasti hedhet poshtë nga prokuroria, pasi që pala ka të drejtë të shfrytëzoj të drejtën e ankesës në Prokurorinë e Apelit”, ka shtuar ai.
Gjatë ditës së sotme Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka konfirmuar për teve1.info se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedajt.
Sipas zëdhënëses së kësaj prokurorie, Laureta Ulaj aktakuza është ngritur më 20.10.2023. Dedajt i është ngritur aktakuzë në drejtim të veprës penale “Kanosja”.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se më 20.10.2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër personit me inicialet Gj.D., në drejtim të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.