Azemi: Albin Kurti ua rriti dy herë çmimin e rrymës qytetarëve

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka thënë se faji i rritjes së madhe të çmimit të rrymës, është kryekëput i Qeverisë.

Para gazetarëve, Azemi tha se është hera e dytë që qytetarët po pranojnë fatura me shumë marramendëse dhe po kanë vështirësi t’i paguajnë.

Sipas tij, çmimi i rrymës është rritur dy herë gjatë mandatit të kësaj qeverie.

“Albin Kurti sa ishte në opozitë thoshte se qytetarët jetojnë mbi thëngjill dhe nuk është e drejtë të paguajnë kaq shtrenjtë energjinë elektrike” tha Azemi.

Ai ka dhënë disa arsye, pse sipas tij, është rritur çmimi i rrymës në Kosovë.

“Blloku A5 i termocentralit Kosova A ishte mbajtur jashtë funksionit për muaj të tërë, që ua mundësoi shokëve të Albin Kurtit, Martin Berishaj e Nagip Krasniqi që ta shesin energjinë elektrike me shuma të mëdha”, tha Azemi.

Sipas Azemit, “kjo qeveri s’ka kapacitet dhe aftësi për të bërë më mirë sepse janë një grupacion i papërvoje që nuk kanë njohuri as për energji e as për diçka tjetër”.

Ai tha se LDK është e vetmja parti në Kosovë që ka program specifik për ta zgjidhur problemin e energjisë dhe për t’iu shmangur krizave energjetike.

“Siç e kemi thënë edhe në programin tonë “Rruga e Re”, e shohim të pashmangshëm ndërtimin e centralit me gazin amerikan me kapacitet prej 500 megavatë. Gazimifikimin e Kosovës me gazin amerikan që do të vij nga Shkupi e do të shkojë deri në Mitrovicë”, tha Azemi.

Në fund, Azemi e ka ftuar ministren Artane Rizvanolli në debat televiziv për të diskutuar për energjinë.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.