KPMSHC anulon vendimin e Aliut për emërim të u.d. së drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil e ka shkarkuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Alban Ramabajën.

Në vendimin e datës 19 janar, thuhet se vendimi i ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, nuk është marrë në përputhje me Ligjin për Shërbyesit Civilë dhe atë për Aviacionin Civil. Në këtë vendim shkruhet po ashtu se Ramabaja kishte pozitë më të ulët sesa që e parasheh Ligji për Zyrtarët Publik.

“Vendimi me numër protokolli 4920-2/2023-1280 i datës 07.11.2023, është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 08/L197 për Zyrtarët Publikë, përkatësisht nenin 35, paragrafin 1 dhe dy ngase sipas dispozitave përkatëse ligjore më të cilat rregullohet çështja e plotësimit të pozitave të lira me ushtrues të përkohshëm të detyrës, është përcaktuar se në rast se një pozitë e nivelit drejtues mbetet e lirë, ushtrues i detyrës mund të caktohet zyrtari më i lartë i kategorisë pasuese, në varësi të pozitës që caktohet, nga cilado njësi organizative brenda institucionit. Ndërsa sipas shkresave të lëndës, rezulton se ankuesit sipas aktemërimeve kanë pozita më të larta sesa nëpunësi civil Alban Ramabaja, i cili me akt emërim është i emëruar me pozitë më të ulët të punës, gjegjësisht si inspektor i Aerodromeve në kuadër të Departamentit të Aerodromeve”, thuhet në vendimin e Kolegjit të KPMSHC-së i kryesuar nga Malsore Gashi-Bajraktari.

Ankesë kundër vendimit të Aliut në KPMSHC kishin bërë tre pjesëtarë të Sindikatës së Autoritetit të Aviacionit Civil që janë edhe drejtorë departamentesh në këtë institucion. KPMSHC-ja në vendimin e saj shkruan se palët e pakënaqura mund të paraqesin ankesë brenda 30 ditësh pranë Departamentit për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Vendimi për emërimin e Ramabajës kishte ardhur meqë Qeveria e pati shkarkuar Bujar Ejupin, që e kishte mbajtur pozitën e drejtorit nga qershori 2020 deri në gusht 2023. Në prag të shkarkimit të tij, kryeministri Albin Kurti pati përmendur si arsye për propozim të shkarkimiy të tij, faktin se raportet e AAC-së nuk kaluan në Kuvendin e Kosovës dhe raportimet për shkelje të shumta.

Leave a Reply

Your email address will not be published.