Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim krerë politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut: Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes BESA e i komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, dhe Afrim Gashi, kryetar i Alternativës, po ashtu deputet.
Së bashku diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje.
Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet.
Katër udhëheqësit shprehën propozimin e tyre për një president të Maqedonisë së Veriut i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve.