Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), ka njoftuar të martën se një i burgosur ka ndërruar jetë në një aksident trafiku që ka ndodhur në Bresje të Fushë Kosovë.
Sipas njoftimit, i njëjti po mbahej në Qendrën Korrektuese të Smrekonicës, nga ku kishe dalë sot rreth orë 06:35 për të shkuar në vendin e punës.
“Sipas Udhëzimit Administrativ për punë jashtë institucioneve korrektuese, MD-nr. 04/2023, ai po punonte jashtë në një biznes privat”, thuhet në komunikatën për media.
SHKK-ja i ka shprehur ngushëllime familjes dhe të gjithë të afërmve.
Ndryshe, për aksidentin gjatë ditës është deklaruar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani. Ai për Telegrafin ka thënë se një person ka vdekur rreth orës 07:23 në një aksident trafiku në rrugën Prishtinë-Pejë, saktësisht Bresje të Fushë Kosovës.
Sipas tij, lidhur me rastin janë njoftuar njësitë kompetente policore dhe ekipi mjekësor të cilët menjëherë kanë dalë në vendngjarje.
“Më datën 30.01.2024 rreth orës 07:23 është raportuar për një aksident trafiku të ketë ndodhur në rrugën Prishtinë-Pejë (Bresje).
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë kompetente policore dhe ekipi mjekësor të cilët menjëherë kanë dalë në vendngjarje.
Bazuar në informacionet e para, si pasojë e këtij aksidenti dyshohet se një person ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilit e ka konstatuar stafi kompetent i QMF”, ka thënë Kelani.
Tutje Kelani ka thënë se lidhur me rastin dhe mjetet e përfshira në aksident, janë duke u kryer hetimet nga njësia e autostradës.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe zyrtar të lart nga Divizioni i trafikut, prokurori i rastit dhe njësitet tjera relevante”, ka thënë ndër të tjera Kelani.