Ndarja e 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit vendosi sot përpara Gjykatës Themelore të Prishtinës Pal Lekajn dhe të tjerët.
Pas leximit të aktgjykimit, gjyqtarja e rastit, Violeta Namani, dënoi Lekajn me 3 vite e 8 muaj burg dhe me 3 vite e 6 muaj ndalim të ushtrimit të funksionit publik.
Ndërkaq, ish-zyrtari në Ministrinë e Infrastrukturës, Nebih Shatri, u dënua me 1 vit e 8 muaj burg dhe ndalim ushtrimi të funksionit publik për 2 vite.
Po i dyshuar për rastin, shefi i kabinetit të Lekajt, Eset Berisha, u dënua me 3 vite e tre muaj burg dhe ndalim të ushtrimit të funksionit në administratë publike prej tri vitesh.
Besim Tahiri nga Zyra e Prokurimit në MI, u dënua me 1 vit e 8 muaj burg dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksionit në administratë publike. Në shkurt të vitit 2022, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën.
“Keqpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje” ndaj Lekajt, Shatrit, Tahirit dhe Berishës. Në gjetjet e Prokurorisë thuhej se keqpërdorimi kishte ndodhur kur të dyshuarit nënshkruajten marrëveshjen për shtyrje të afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Ky veprim, sipas prokurorisë i ka lënë hapur mundësinë kompanisë “Bechtel & Enka” që më 27 nëntor 2017 të paraqes pranë punëdhënësit kërkesën për pagesën e shumës shtesë në vlerë prej 63 milionë euro, në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, e cila kërkesë më pas ka zbritur në vlerën prej 53 milionë e 100 mijë euro.