Para disa muajve analisti Rron Gjinovci kishte bërë një sulm seksist në rrjetin social Facebook ndaj Flutura Kusarit, juriste e së drejtës së medies si dhe aktiviste shumë e zëshme në Kosovë.
E një postim i tillë në raportin e D4D, organizatë kjo joqeveritare, është vënë në kapitullin e mizogjenisë, pra paragjykim ose përbuzje e rrënjosur ndaj grave.
“Gratë në arenën publike, qoftë në politikë, gazetari apo profesione të tjera, shpesh gjykohen në bazë të pamjes së jashtme, modelit të flokëve, veshjes, peshës e kështu me radhë, ndërsa aftësitë, kualifikimet dhe kapacitetet e tyre profesionale shpesh neglizhohen. Sulmet ndaj pamjes fizike mund të ndodhin kur nuk ka kundërargumente për kualifikimet e tyre profesionale. I tillë është edhe komenti ndaj Flutura Kusarit, një juriste e cila u kritikua në lidhje me flokët e saj teksa avokonte për një nga çështjet mediatike.” – shkruan në raportin D4D.
E pas një kohe, natyrisht edhe si pasojë e presionit publik, për statusin përqeshës që kishte bërë Gjinovci, ky i fundit, në heshtje vendosi që ta fshijë atë.