Durmishi: Përveç 53 milionëve, Betchel Enka-s iu dhanë edhe 44 milionë euro tjera shtesë

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka komentuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me rastin e “53 milionisht” ku deputeti i AAK-së, Pal Lekaj u dënua me tri vite e tetë muaj burgim.

Durmishi në një postim në Facebook, ka shkruar se “Betchel Enka-s” i janë paguar edhe 44 milionë euro, pas 53 milionëve.

“Veç sa për sqarim. Nuk bëhet fjalë për 53 milionë, por për 97 milionë euro. Përveç 53 milionë euro Bechtel Enka është paguar edhe me një shumë tjetër në vlerë 44 milionë euro. Edhe pse kontrata ka qenë ‘llamsam’ (me çelësa në dorë) dhe me këtë lloj kontrate nuk lejohen punët shtesë, pa asnjë procedurë të prokurimit Bechtel Enka-s i janë paguar edhe 44 milionë euro shtesë”, ka shkruar Durmishi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, krahas Lekajt, fajtorë i shpalli edhe Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin, duke i dënuar me 10 vjet e 3 muaj burigm (të katër të akuzuarit së bashku).

Pal Lekaj, atëherë në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje në rastin e njohur si “53-milionëshi”.

Sipas aktgjykimit, Pal Lekaj u dënua me 3 vite e 8 muaj burgim efektiv, Nebih Shatri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim, Besim Tahiri u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim dhe Eset Berisha u dënua me 3 vite e 3 muaj burgim.

Ndaj katër të akuzuarve, gjykata shpalli edhe dënimin plotësues- ndalimin e ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik për periudhë të caktuar kohore.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.