Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në shenjë përkujtimi të Elfete dhe Mentor Humollit në 34 vjetorin e rënies së tyre për liri, ka bërë homazhe tek monumenti përkujtimor i ngritur në fshatin Lupç të Poshtëm të Podujevës.
Kurti ka thënë se Elfetja me Mentorin kanë marrë pjesë në demostraten kundër pushtetit represiv të Serbisë, ku edhe u vra Elfetja, pasi që policët serbë shtinë mbi protestuesit.
“Më 1 shkurt 1990, Elfetja bashkë me vëllain e saj Mentorin dhe me shumë të tjerë, kishte marrë pjesë në demonstratë kundër pushtetit represiv të Serbisë pushtuese, që i shtypte shqiptarët në Kosovë, i burgoste mbi baza politike dhe i diskriminonte mbi baza etnike. Elfetja ishte 16 vjeçare, kurse Mentori 13 vjeçar. Mes shtëllungave të tymit të gazit lotsjellës, policët e Serbisë shtinë mbi protestuesit duke i plagosur Eset Kaçiun, Ismet Krasniqin dhe Avni Retkocerin, kurse Elfetja nuk u mbijetoi plagëve. Ajo vdiq aty, teksa fjalët e fundit të saj ishin: “Ku është Mentori, a ka shpëtuar?!””, ka shkruar Kurti në “Facebook”.
Tutje Kurti ka shtuar se për të kujtuar Elfeten dhe Mentorin, mbi një gur masiv janë gdhendur emrat e tyre, kurse poshtë tij është vendosur një krua me ujë për udhëtarët.
“Me nderime u kujtofshin gjithmonë Elfete dhe Mentor Humolli, mes të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka përfunduar Kurti.