Lëvizja Vetëvendosje po shpreh ambicie të mëdha për të fituar më shumë 50% të votave në zgjedhjet e përgjithshme që sipas kalendarit pritet të mbahen vitin e ardhshëm në Kosovë. Ato i kanë shfaqur dy eksponentë të saj. Krahu i djathtë i Albin Kurtit në qeverisje, Besnik Bislimi tha se ka qëllim që t’i zvogëlojë partitë rivale ndërsa deputeti Enver Dugolli tha se subjekti që e drejton nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme mund t’i fitojë më shumë se 50 përqind.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi javën që shkoi u ftua në Komisionin për Integrime për të raportuar rreth dialogut me Serbinë .
Por, debati me deputetët nuk u përqendrua vetëm për procesin negociator.
Me opozitarët Bislimi foli edhe për zgjedhjet që në Kosovë sipas kalendarit mbahen edhe diçka më shumë se një vit.
Bislimi duke folur si specialist i fushatave u mor me LDK’në duke i thënë deputetes së këtij subjekti se “në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme e ka për target që këtë parti ta sjell në numër njëshifror.”.
“Prapë po them nëse doni me vendos në rend dite se si ka ardhur LVV-ja në pushtet, mendoj që mund të diskutojmë edhe për këtë meqë kam qenë shef i fushatës zgjedhore dhe pastaj mund të ju informojë se cila ka qenë strategjia me ju pru juve aty ku ju kemi sjell dhe me pru veten aty ku e kemi pru. Prapë do të jem shef i shtabit dhe tash targetin e kam në njëshifror me ju pru”, ka thënë Bislimi, gjatë një debati me deputeten e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
Kjo deklaratë e Bislimit erdhi pasi Krasniqi e kritikoi atë për dialogun.
E deputeti i kësaj partie, Enver Dugolli, ka parashikuar një rezultat shumë më të madh sesa 50%, që kjo forcë politike i kishte marrë në zgjedhjet e fundit, më 14 shkurt të vitit 2021.
“VV-ja nuk frikësohet. Përkundrazi, zgjedhjet e parakohshme do të na nxirrnin edhe më shumë sesa 50%. Ky rezultat 50% ka qenë në vitin 2021, por tani mund të ecim edhe më shumë, gjithmonë duke u bazuar në vullnetin e qytetarëve, pritshmëritë e tyre, zbatimin e premtimeve…”, tha tutje Dugolli, në Tëvë1.
Për thirrjet e eksponentëve të opozitës për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, Dugolli u shpreh se tanimë këta zëra janë shuar, dhe tërhequr duke e lënë VV-në komode duke qeverisur me vendin.
Ai për këtë kritikoi opozitën, duke thënë se marrëveshjet ndërkombëtare ishin kusht i tyre për ta caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.
“Opozita ka kërkuar qysh në vitin e parë të qeverisjes, zgjedhje të reja. Madje, kemi një parti politike që u barrikadua pranë kërkesës se nuk voton asnjë marrëveshje ndërkombëtare pa u caktua data e zgjedhjeve të parakohshme. Tani, çuditërisht s’po shohim një zë, disi sikur janë tërhequr. VV-ja është komode.”, u shpreh Dugolli.
Sipas, KQZ-së në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit 2021, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 49.9% të votave të përgjithshme.
E dita ishte Partia Demokratike me 16.9% te votave, e pasuar nga LDK-ja me 12.6% të votave.