Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefja e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh është shprehur e shqetësuar me zhvillimet rreth vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin në vend.
Përmes një deklarate nga UNMIK-u, thuhet se Ziadeh ka ndjekur me “shqetësim serioz zhvillimet e fundit që ndikojnë në të drejtat ekonomike dhe sociale të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera joshumicë”.
Ajo bën thirrje që çështjet e pazgjidhura të diskutohen brenda kornizës së Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë kohën e duhur për të lejuar komunikim efektiv dhe kontakt adekuat me komunitetet e prekura paraprakisht.
“PSSP-ja rithekson përkushtimin e palëkundur të UNMIK-ut për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për të gjitha komunitetet, duke përfshirë parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit, i cili është një nga shtyllat e kornizës së të drejtave të njeriut në Kosovë”, thuhet në deklaratë.