Këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani e ka quajtuar kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi, “Rrahman Morina 2.0”.
Përmes një shkrimi në Facebook, Sinani tha se deklaratat e Arifit kundër Kurtit po shfrytëzohen nga mediat e Serbisë.
“Kryetari në detyrë i Komunës së Preshevës edhe tash kur ka humbur krejtësisht legjitimitetin moral e politik, po vazhdon të jetë senzacion në lajmet e mediave në Beograd. Është e turpshme kur lajmet në mediat e Serbisë fillojnë me citatin e Shqiprim Arifit për kryeministrin e Republikës së Kosovës.”.
Tutje, Sinani tha se “është e pafalshme që Serbia ka rigjetur një vegël të ngjashme si Rrahman Morina, që e përdor dhe kontrollon për interesat e veta kundrejt Kosovës”.
“E ky Rrahman Morina 2.0 këto deklarata i bën çdo ditë për të mbuluar dështimin e tij në pushtetin lokal në Preshevë, por edhe për të defokusuar vëmendjen nga problemet reale.“.
Këshilltarja e Kurtit tha se padrejtësitë e Serbisë nuk kanë qenë asnjëherë në agjendën e Arifit.
“Pikërisht në kohën kur vetëm Presheva diferencohet nga Vendimi i Qeverisë së Serbisë që të gjithë të punësuarit në periudhën me COVID 19 janë pajisur me vendime të përhershme të punës. Por Sh. Arifi ka detyra dhe obligime tjera. Për të sulmuar padrejtësitë e Serbisë nuk janë e as kanë qenë në agjendën e tij.”