Iniciativa CorrWatch, e themeluar nga konsorciumi i organizatave të shoqërisë civile i përberë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), në kuadër të projektit: “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës”, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me anulimin e konkursit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që vie si pasojë absolute e papërgjegjshmërisë së Këshillit Shtetëror të Pranimit.
Kjo situatë bëhet edhe më serioze, përshkak se konkursi i njejtë është anuluar edhe tri herë të tjera rradhazi, dhe kjo është tentativa e katërt e dështuar. Në tri herët e para, anulimi erdhi si pasojë e numrit të aplikacioneve të pranuara, i cili ishte më i vogël nga ai që parashihet me ligj, apo numri i kandidatëve që plotësonin kriteret e konkursit ishte i vogël. Konkursi u publikua për herën e katërt në qershor të vitit të kaluar, dhe anipse numri i aplikacioneve ishte përmbushur, kësaj radhe papërgjegjshmëria e Këshillit Shtetëror të Pranimit dërgoi në anulim të konkursit.
Sipas një vendimi të ndërmarrë, Këshilli Shtetëror për Pranim informon se anulimi i procedurës është vendosur përshkak të kompleksitetit të procesit dhe pamundësisë së tyre për t’u mbledhur brenda afatit të përcaktuar ligjor. Një konstatim i tillë është absolutisht i papranueshëm për CorrWatch, dhe konzorciumin si tërësi, sepse konsiderohet që Këshilli ka pasur mjaftueshëm kohë që të vazhdojë me fazat e tjera të procedurës që nga shtatori 2023, kur edhe kishin pushuar arsyet e pezullimit të procedurës për shkak të ankesës të një kandidati.Prandaj, CorrWatch konsideron që një konstatim i tillë i ofruar nga Këshilli është i papranueshëm dhe nuk mund të qendroj si një arsyetim valid në asnjë mënyrë. Madje, një sjellje e tillë si kjo mund të krijoj mundësi për praktika të paligjshme në të ardhmën, kur mekanizma të tillë sikurse Këshilli në këtë rast, mund të përdorën në mënyrë të për të anuluar procedura të ngjashme, dhe sidomos në rastet kur institucioneve nuk i’u “përshtatet” lista e kandidatëve.
Thënë këtë, CorrWatch kërkon që institucionet përkatëse të reflektojnë seriozisht mbi praktika të tilla, të tregojnë përgjegjshmëri në ushtrimin e funksioneve të tyre, dhe të evitojnë krijimin e precedenteve të cilat mund të sjellin hapsira për keqpërdorime në të ardhëm. Përfundimisht, CorrWatch konsideron se institucionet përgjegjëse duhet seriozisht të respektojnë kornizën ligjore dhe afatet e përcaktuara qartë në të, dhe të mos bëhen shkas i dështimit të procedurave, gjë që medoemos rezulton me shkelje të të drejtat të kandidatëve.
Sinqerisht,
GLPS, Instituti GAP & INDEP
Projekti “Mbështetje për Shoqërinë Civile për të Rritur Mbikëqyrjen Publike dhe Llogaridhënien e Institucioneve Publike të Kosovës” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.
Përmbajtja e këtij reagimi është përgjegjësi e vetme e organizatave zbatuese dhe nuk i reflekton qëndrimet e Ministrisë së Punëve të Jashme Komonuelthit dhe Zhvillimit.