24 karabinierë nga Italia, 20 zyrtarë të sigurisë publike nga Lituania dhe pesë xhandarë nga Xhandarmëria Nacionale e Francës që shërbejnë në Njësinë Policore të Specializuar Rezervë të EULEX-it (NJPSR) u shpërblyen sot me medalje për shërbim në Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (PPSM).
Kjo medalje, e cila ndahet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, është mirënjohje konkrete dhe e përhershme për përkushtimin e fuqishëm të pjesëtarëve të stafit të Misionit EULEX dhe PPSM të BE-së.
Shefi i Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano, duke i falënderuar të shpërblyerit me medalje, të cilët do të dislokohen nëpër shtetet e tyre deri në mes të muajit shkurt, nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe BE-së për fuqizimin e sundimit të ligjit në interes të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla falënderoi Italinë, Lituaninë dhe Francën, pasi që kontributi i tyre në NJPSR dëshmon angazhimin për mbështetjen e vendosmërisë së Kosovës për t’u bërë faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.
“Jam thellësisht i nderuar të jem i pranishëm në ceremoninë e ditës së sotme kur ne e njohim kontributin dhe përkushtimin e personelit, të cilët krahas Misionit të tyre dhe në bashkëpunim me institucionet tona, janë të përkushtuar për ruajtjen e sundimit të ligjit, duke promovuar paqe dhe stabilitet,” tha Sveçla.
Një fjalë rasti mbajti edhe drejtori menaxhues i Kapacitetit për Planifikime dhe Veprime Civile (CPCC), Stefano Tomat, i cili përgëzoi NJPSR-në për shërbimin e tyre të guximshëm dhe të paanshëm.
“Ju jeni duke e përçuar një porosi nga Bashkimi Evropian. Ju jeni duke përfaqësuar vlerat evropiane, pikë së pari vlerën e paqes,” tha ai duke shtuar se angazhimi i NJPSR-së është mënyrë për promovimin e elementeve më të vlefshme të thelbit të Bashkimit Evropian.
Zëvendëskomandanti i Shtabit të Përhershëm të Forcës së Xhandarmerisë Evropiane (EUROGENDFOR), kolonel Marian Panfil, i prezantoi shefit të Misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano medaljen e argjendtë të Eurogendfor për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm si komandant i Njësisë Policore të Integruar nën përkujdesjen e EUROGENDFOR në EUFOR Althea (Bosnje e Hercegovinë) nga tetor 2007-tetor 2008.
Para vijimit të ceremonisë për ndarjen e medaljeve, Tomat dhe Barbano morën pjesë në inaugurimin zyrtar të selisë së re të EULEX-it në zonën industriale në Prishtinë, në afërsi të Kompleksit të EULEX-it për operacione dhe mbështetje.