Media serbe e afërt me presidentin Aleksandër Vuçiq, “Novosti” shkruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është nisur për një vizitë urgjente në Britani.
Sipas “Novosti” , në Britani Kurti pritet të takohet me këshilltarët e tij ishullorë, të cilët prej vitesh e kanë përkrahur nga hija.
‘Nuk është sekret që Kurti ka një rrjet bashkëpunëtorësh dhe mentorësh të zhvilluar mirë në Britani, përndryshe lobistë të dëshmuar shqiptarë, të cilët prej vitesh punojnë me përkushtim në projektin e pavarësisë së Kosovës. Midis tyre janë profesori Mark Weller, një ekspert për Ballkanin, i cili ishte edhe këshilltar ligjor i qeverisë britanike në konferencën e Rambujesë në vitin 1999, madje edhe atëherë haptazi në anën e Prishtinës, dhe Elizabeth Gowing, e cila është infiltruar në institucionet e Prishtinës për dekada, si dhe Alicia Kearns, e famshme për akuzat e Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe për përhapjen e krimit në Kosovë.’, shkruhet në artikullin e publikuar me titull ‘Kurti ka udhëtuar urgjentisht në Britani për udhëzime’.
Ndërkohë ndaj kryeministrit të Kosovës para disa ditësh u përfol për plane për atentat në Shkup.
Mediat në Kosovë, duke ju referuar burimeve nga institucione të sigurisë në Kosovë, bënë të ditur se pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të OKB-së, nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.
Kryeministri Kurti, mbrëmë ka arritur në Shkup, ndërsa paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.
Vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.