/

Deputetët opozitarë ia numërojnë ministrit Murati “premtimet e papërmbushura”

Ministri i Financave, Hekuran Murati është përballur me kritika nga deputetët opozitarë në Komisionin për Shëndetësi, lidhur me skemat sociale dhe pensionale.

Deputeti nga PDK-ja, Bekim Haxhiu i ka përmendur premtimet që pretendon se ministri Murati nuk i ka realizuar.

Ai ka thënë se Ligji për skemat sociale e pensionale është bartur në çdo program legjislativ të Qeverisë prej vitit 2021, për sa kohë që nuk është realizuar as premtimi për punësimin e një anëtari nga familjet me asistencë sociale.

“Keni premtuar ristrukturimin e skemave sociale dhe pensionale, por ky projektligj prej vitit 2021 vazhdon të bartet në çdo program legjislativ të qeverisë. Keni premtuar ridizajnim të skemave për punësim sezonal për familjet me asistencë sociale; keni premtuar punësimin e së paku një anëtari të familjeve me asistencë sociale- dhe rezultati deri më tani është zero. Të varfërve vazhdon t’u përkeqësohet gjendja, ndërsa oligarkët e bankave në Kosovë kanë shifra të dyfishuara. Keni premtuar pushimin e lehonisë dhe atë prindëror, po hyjmë në vitin e katërt të qeverisë dhe nuk ka ndryshim” – ka thënë ai.

Pos tjerash, sipas tij, është premtuar edhe reforma pensionale, por as ajo nuk është realizuar.

“Keni premtuar se do të beni reformën pensionale dhe deri më tani kjo as që është në agjendë legjislative. Ju dëgjova që thatë që do ta bëjmë, po këtë model që e prezantuat sot nuk e keni premtuar në program qeverisës. As reforma, as ligji, as mbajtje e premtimeve tua. Keni premtuar mbështjetje për punëtorët. E keni pas në agjendë Ligjin e punës në vitin 2021, dhe nuk e keni as në këtë vit. Ato që i keni premtuar janë projektligjet e bartura” – ka thënë Haxhiu.

Ai po ashtu ka thënë se mospërfshrija e veteranëve në ligjin për pagën minimale është diskriminim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.