Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 188-të të saj ka vendosur që t’ia jap në shfrytëzim një banesë prej 100 metra katrorë, një të miture e cila ishte keqtrajtuar.
Sipas kryeministrit Kurti, ky veprim është bërë për të dëshmuar përkrahjen ndaj viktimave të dhunës.
“Komisioni rekomandues i Ministrisë së Drejtësisë ka rekomanduar dhënien në shfrytëzim të banesës së konfiskuar prej 100 metra katrorësh për viktimën e trafikimit dhe dhunimit dhe familjen e saj, e njohur edhe si rasti i 11-vjeçares. Përmes veprimeve të tilla ne edhe njëherë dëshmojmë përkushtimin tonë për mbështetjen e viktimave, veçanërisht të viktimave të dhunës”, tha Kurti.
Banesa në fjalë i është dhënë të miturës dhe familjes së saj për shfrytëzim për një afat kohor prej pesë vjetësh.
Kujtojmë se në verë të vitit 2022 është raportuar për dhunimin e një të miture në Prishtinë. Rasti është dërguar në gjykatë dhe gjykata ka dënuar katër persona me 40 vjet burgim për dhunimin e saj.