Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller është pyetur në një konferencë për media se çfarë do të bëjë SHBA-ja për ta ndaluar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Atij iu tha se pavarësisht fjalëve të amerikanëve, Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien konfirmoi se po hasin në padëgjueshmëri.
“Pra, përveç fjalëve, çfarë mjetesh të tjera synoni të përdorni më pas për ta detyruar Kurtin t’i ndalojë veprimet e tij të njëanshme, duke qenë se në fund të fundit kjo është një pyetje që i shqetëson taksapaguesit amerikanë?”, ishte pyetja.
“Kështu unë do të them se ne do të vazhdojmë të angazhohemi në diplomaci për ta zgjidhur dhe – për ta zgjidhur këtë çështje, dhe ne duam që të dyja palët të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Dhe përtej kësaj, nuk dua të parashikoj ndonjë hap specifik nga këtu”, tha Miller.