Është dënuar me 4 vjet burgim Arsim Limani, i cili akuzohet për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gazetarit te RTK-së, Alban Selimi. Trupi gjykues ka thënë se i llogaritrur edhe koha e paraburgimit.
Në seancën ku është mbajtur fjala përfundimtare ndaj të akuzuarit Arsim Limani, nga Prokuroria e Shtetit kanë thënë se tashmë është vërtetuar se i akuzuari, Arsim Limani ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.
Prokurorja Javorka Perlinçeviq i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.
Edhe Kujtim Kerveshi, avokati mbrojtës i gazetarit, ka thënë se me vënien e zjarrit i akuzuari kishte për qëllim ta ndalojë atë në kryerjen e punës së gazetarit.
Ndërsa, i dëmtuari Alban Selimi, kishte thënë se i akuzuari është një recedivist me të kaluar kriminale dhe se gjykata nuk duhet që ta pranojë pendesën e tij pasi ajo nuk është e sinqertë.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Fanol Krasniqi, kishte deklaruar se rasti është i ndikuar kryekëput nga mediat.