Njëri prej të dyshuarve për plagosjen e dy personave, më 15.02.2024 në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, është i mitur dhe gjendet në arrati, njofton Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Nga hetimet preliminare dyshohet se nga të shtënat me armë zjarri janë lënduar dy persona, të cilët kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, ndërkaq është identifikuar një person i dyshuar (i mitur), i cili gjendet në arrati” – tha zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
Rasti është iniciuar si “vrasje në tentativë”. Prokuroria thotë se në koordinim me policinë, po zhvillon hetimet për ndriçimin e rrethanave dhe sigurimit të prezencës së të dyshuarit në procedurën penale.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se informacionin e kanë pranuar më 15.02.2024, rreth orës 21:00.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë, prokurori kujdestar, autoambulanca dhe forenzika.