Deputetja e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu ka bërë të ditur se do të shkojë jashtë shtetit për një ndërhyrje kirurgjike pasi që rreth dy vjet më parë është diagnostikuar me një problem në zemër, pas një vizite te mjekët në QKUK.
“Me rekomandim të mjekëve kosovarë, më duhet t’i nënshtrohem një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila (për fat të keq) do të kryhet jashtë vendit, pasi që mjekëve në Kosovë, përkundër kompetencës së shkëlqyer profesionale, ende nuk u janë krijuar kushtet që ata i meritojnë”, ka shkruar Musliu në “Facebook”.
Ndërsa ka falënderuar të gjithë mjekët që punojnë në repartin e Kardiologjisë dhe Kardiokirurgjisë në QKUK dhe në Spitalin Amerikan.
“E falënderoj çdo institucion dhe çdo individ që ishte pranë meje dhe më ofroi mbështetje. Mbështetja e tyre më ka bërë jashtëzakonisht mirënjohëse, por edhe krenare për çdo hap që kam bërë sepse në një moment shumë delikat të jetës sime më kanë dëshmuar se jam e bekuar me miq të vërtetë”, ka thënë Musliu.
Tutje ajo ka bërë të ditur se do të tërhiqet përkohësisht nga puna e përditshme.