Osmani: Po vazhdojnë diskutimet se cili do të jetë plani i tranzicionit për zbatim të Rregullores së BQK-së

Presidentja Vjosa Osmani, në një prononcim për media, ka thënë se janë duke vazhduar diskutimet se cili do të jetë plan i tranzicionit për zbatim të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), sipas së cilës do t’i marrë parasysh shqetësimet e të gjithëve.

Ajo ka thënë se ndërkombëtarët nuk janë duke kërkuar të mos respektohet Kushtetuta, por që është duke kërkuar një plan tranzicioni për zbatimin e Rregullores së BQK-së.

Ajo ka theksuar se si presidente e vendit vazhdimisht ka inkurajuar institucionet që bashkëpunimin ta kenë në maksimum me aleatët.

“Çështja nuk është çështja e dinarit, SHBA-ja dhe aleatët tjerë nuk po kërkojnë ta mbajmë dinarin të jemi të qartë dhe nuk do duhej të krijohet një përshtypje që ndokush po kërkon prej nesh që të mos ta respektojmë Kushtetutën sepse nuk është e vërtete. Pra kemi një mirëkuptim të plotë dhe në fakt qëllim të përbashkët me aleat tanë në veçanti me SHBA-në që Kushtetuta jonë të respektohet në plotni. E tëra që është duke u diskutuar është një plan tranzicioni për zbatimin e rregullores së BQK-së, pra që nuk ka të bëjë me punën e BQK-së rregullorja mbetet ajo që është askush nuk po kërkon që rregullorja të ndryshojë, e cila bie nën domenin e BQK-së, po institucionet që e zbatojnë atë. Institucionet ligjzbatuese sikurse edhe për çdo vendim tjetër ndërtojnë planë të zbatimit, edhe në këtë rast ende janë duke vazhduar diskutimet se cili do të jetë plan i tranzicionit të zbatimit, i cili do t’i marrë parasysh shqetësimet e të gjithëve”, u shpreh e para e vendit.

“Sikurse çdoherë tjetër bashkëpunimi me aleatët tanë, asnjëherë nuk e çon Kosovën në rrugën të gabuar, kështu që si presidente e vendit vazhdimisht i inkurajoj institucionet që bashkëpunimin ta kenë në maksimum, sepse sa herë veprojmë të bashkuar jemi shumë më të fortë dhe të njëjtën gjë e kërkoj edhe tani dhe jam e bindur qe jemi në rrugë të drejtë, ky plan tranzicionit të arrihet me pajtimin e të gjithëve dhe të jemi efektivë në tërësi, por bashkë me aleatët tanë në zbatimin e Kushtetutës tinë në çdo cep të vendit”, tha Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published.