Shoqata Sindikale e Sigurimit Fizik në KEK ka mbajtur protestë paqësore kundër vazhdimit të tenderimit “të paligjshëm” të këtij Departamenti, pagat e ulëta dhe kushtet e rënda për punonjësit e sigurimit fizik në KEK.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se kërkesa e tyre është që vendimi për tenderim të shfuqizohet.
“Sot jemi këtu edhe një herë t’i tregojmë Korporatës Energjetike të Kosovës sepse ky departament nuk është privatizuar, por është huazuar dhe sot e 20 vjet tenderohet në mënyrë të paligjshme, edhe sot është duke u tenderuar në mënyrë të paligjshme. Kohëve të fundit kemi edhe një raport të Auditorit të Brendshëm, ku tregon që nuk është në përputhje me kontratën, prandaj ne po dyshojmë se këtu ka hile dhe ka korrupsion dhe kjo është arsyeja ajo cila tenderohet edhe tashti e tutje ju bëjmë thirrje menaxhmentit të KEK-ut që ky departament i huazuar t’i kthehet në KEK-ut aty ku e ka pasur vendin”, tha Llumnica.