Avokati i Popullit nis hetimet për vdekjen e 4-vjeçares nga Gjakova

Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për vdekjen e 4-vjeçares në Gjakovë.

Sipas një komunikate të lëshuar, ky institucion ka përcjellur me shqetësim lajmin nga mediat lidhur me humbjen e jetës së fëmijës nga Gjakova.

Avokati i Popullit thotë se e ”e drejta në jetë është një e drejtë universale për të gjitha qeniet njerëzore, dhe si e tillë mbrohet me Kushtetutë dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijës.

Avokati i Popullit u ka bërë thirrje institucioneve të ndërmarrin sa më parë veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.

“Avokati i Popullit, në pajtim me rolin kushtetues dhe kompetencat e përgjegjësitë e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të zhvilloj hetimet lidhur me rastin dhe do tё monitoroj atë nga afër dhe nё vazhdimësi nё mënyrë qё tё siguroj se tё gjitha institucionet pёrgjegjёse po i ndërmarrin masat e përcaktuara me ligj”, thuhet në komunikatë.

Për rastin me një reagim pak më parë doli edhe Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë. Nga ky spital kanë thënë se për rastin  e 4-vjeçares pati mbikëqyrje profesionale mjekësore.

Spitali i Gjakovës ka bërë të ditur se me 16 shkurt rasti ësht referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare për në Repartin e Pediatrisë, e ku më pas fëmija është ndaluar për trajtim të mëtutjeshëm në repartin e Kirurgjisë.

Më pas, siç thuhet, gjendja e 4-vjeçares është përkeqësuar dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim në QKUK.

Gjithashtu njoftojnë se është ofruar i gjithë dokumentacioni i kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit e deri në momentin e referimit të për në QKUK.

“Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda”, në Gjakovë, në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmiut (4 vjeçar), fillimisht ju njofton se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun, fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirugjisë. Konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar.

Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet. Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, ka ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK. Shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashke ndjejmë me familjen”, thuhet në njoftim.

Për ngjarje të rëndë, sot ka reaguar edhe KOMF-i. Në reagimin e tyre thuhet se kjo ngjarje e paprecedent ngre pikëpyetje serioze për përmbushjen e përgjegjësive njerëzore, mjekësore dhe etike të profesionistëve të kujdesit shëndetësor.

4 vjeçarja  ka vdekur  dje në QKUK, ku ishte dërguar nga Spitali Rajonal i Gjakovës, pasi ishte përcjellë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas prindërve, vajza nuk ka marrë një ekzaminim të plotë mjekësor dhe trajtimi i duhur i saj është neglizhuar duke shkaktuar fatalitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.