Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është miratuar në parim në tetor të vitit 2023.
Projektligji për shëndetin riprodhues nuk është hedhur në votim as në seancën e sotme për shkak të mungesës së kuorumit.
Njëri ndër deputetët që e pamundësoj votimin me mos prezencën e tij ishte ai i mazhorancës, Eman Rrahmani.
Ai në një prononcim tha se qëndrimi i tij kundrejt këtij projektligji çdo herë do jetë kundër.
Rrahmani ka treguar njërën ndër shumë arsyet që ka qëndrimin kundër karshi këtij projektligji.
“Një vajzë 18 vjeçare e pa martuar merr si donacion spermatozoidin nga dikush që as nuk e njeh që përmes kësaj në të ardhmen mundët babai me vajzën mund të martohen, vëllai me motrën, cenohet familja. Kjo është arsyeja kryesore pse e kundërshtoj këtë projektligj, por ka edhe arsye të tjera. Ky qëndrim i imi nuk do të ndryshojë asnjëherë”, u shpreh Rrahmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në seancës e së enjtes tha se një deputet qëllimshëm nga mazhoranca nuk po voton për ta pamundësuar procedimin e projektligjit.
Konjufcës i është kërkuar që ta përmend emrin e deputetit por ai ka refuzuar.
“S’kam nevojë me ta përmend emrin bre, pse çka, s’kam nevojë me të përmend emrin. Kjo është për me e kuptu teknikisht çka po ndodhë. Jo jo deputetë e kanë shpjeguar të gjithë pozicionin e vet e nuk kemi nevojë me i gjyku fare. Këto janë përcaktime të lira qysh donë deputetët. Teknikisht posë s’po mundemi të votojmë është kjo , tash nëse nuk funksionoi e lëmë këtu. Nuk ka diçka të veçantë na ka ndodhur plotë herë”, ka thënë Konjufca.
Deputeti i VV-së, Visar Korenica së bashku me 10 deputetë të tjerë kanë propozuar 20 amendamente për Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertizilimin e asistuar. Ai tha se siç është propozuar ky projektligj cenohet institucioni i familjes dhe i martesës dhe tha se përmes një amendamenti kanë kërkuar që e drejta riprodhuese t’i takojë çiftit e jo vetëm individit.
Në tetor të vitit të kaluar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi kishte arritur që me 63 vota për, një kundër dhe katër abstenime ta miratonte në lexim të parë këtë projektligj.
Ky legjislacion ua mundëson edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës të fertilizimit të asistuar, i njohur si IVF, në klinikat publike.