Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Hajrush Kurtaj të enjten tha se Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) nuk e ka konsideruar kundërshtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe se nuk ka dijeni nëse dikush tjetër e konsideroi të tillë.
Avokati Mishetiq e pyeti dëshmitarin rreth ndalimit eventual të ndonjë personi që pretendohej të ishte kundërshtar i UÇK-së, në Zonën e Nerodimes ku bën pjesë edhe Brigada 162, pjesë e së cilës ishte dëshmitari.
Lidhur me ndalimin eventual të ndonjë kolaboracionisti nga UÇK-ja në Zonën Operative të Nerodimes, biseda në mes të avokatit Mishetiq dhe dëshmitarit Kurtaj u zhvillua kështu:
Avokati: Kishit ndonjë udhëzim të UÇK-së se si të trajtohen kolaboracionistët?
Dëshmitari: Jo.
Avokati: Shukri Buja a ka dhënë ndonjë udhëzim se si të trajtohen kolaboracionistët?
Dëshmitari: Nuk kam pasur komunikim me Shukri Bujën, nëse e ka pasë, e ka pasur Komandanti, jo unë.
Avokati: Agim Bajrami dhe Qamil Ilazi ju ka dhënë ndonjë udhëzim së si të trajtohen kolaboracionistët?
Dëshmitari: Asnjëherë dhe nuk jemi marrë me këtë punë.
Më pas, mbrojtësi i Thaçit ka përfunduar pyetjet për ketë dëshmitar.