Nga 6 shkurti, konsumatorët kanë të drejtë t’i shkëpusin kontratat me operatorët kabllorë që ndryshojnë kushtet e saj

Bordi i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka miratuar një Rregullore të re në të cilën i jep të drejtë konsumatorit që të shkëpus kontratën me operatorët nëse ndryshojnë kushtet e kontratës.

Kështu tha kryetari i ARKEP-it, Nazim Rahimi i cili tha se kjo rregullore ka hyrë në fuqi më 6 shkurt.

Rahimi ka thënë se konsumatorëve iu ka dhënë e drejta t’i shkëpusin kontratat me operatorët nëse ndryshojnë kushtet e kontratës nga kabllorët.

Ai po ashtu tha se është formuar një departament në ARKEP që do të merret me ankesat e konsumatorëve dhe me inspektime për t’i mbrojtur ata.

“ARKEP-i funksionon në bazë të Ligjit për komunikime elektronike…gjatë vitit 2023 kemi punuar që të ndryshojmë rregulloren dhe kemi pasur dy misione të ekspertëve të BE-së për ta ndryshuar atë rregullore. Në muajin shtator 2023 kemi arritur që ta finalizojmë. Në fund të janarit 2024 jemi dakorduar për nenin 16, i cili tashmë e rregullon këtë çështje. Dhe në momentin që e kemi marrë konfirmimin prej KPM-së, më 5 shkurt në mbledhjen e bordit të ARKEP-it kemi miratuar rregulloren e re”, bëri të ditur.

Sipas tij, neni ka të bëjë për shkëputjen e kontratës për shërbimet e kombinuara në rast se ndryshojnë kushtet e saj.

“Ne kemi ardh në një përfundim që nëse konsumatori ka një kontratë valide me cilindo operatorë të internetit dhe kabllovikut, dhe ndryshon njëra prej kushteve në kontratë atëherë ne do t’i japim të drejtë konsumatorit që ta shkëpusin kontratën. Kjo rregullore besoj që ka hyrë në fuqi më 6 shkurt dhe aplikohet nga dita e miratimit të saj”, tha Rahimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.