Takimi në Bruksel për dinarin, Çitaku: Institucionet tona në vend se me aleatët, shprehin gadishmëri për koordinim me Beogradin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pas konfirmimit se përfaqësues të Bankës Qendrore të Kosovës do të marrin pjesë në takimin në Bruksel për çështjen e dinarit.

Çitaku ka kritikuar institucionet e vendit duke thënë se në vend se të koordinohen me aleatët lidhur me këtë çështje, kanë shprehur gadishmëri që të koordinohen me Beogradin në Bruksel, derisa ka ironizuar duke thënë “sovranë dhe krenarë”.

“Pra, në vend se të koordinohen me aleatët për çështjen e përdorimit të valutave të huaja në Kosovë, tani institucionet tona paskan shprehur gadishmëri të koordinohen me Beogradin në Bruksel.
Gjenialë jeni për besë. Sovranë dhe krenarë”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Banka Qendrore e Kosovës sot ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e së martës, 27 shkurt, në Bruksel, ku pritet të diskutohet edhe lidhur me rregulloren e BQK-së lidhur me ndalimin e dinarit.

Nga BQK thanë se edhe më herët ka shprehur gatishmërinë që të takohet me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave, përmes kanaleve bankare.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro). Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

Ndërkaq, zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të politikës së jashtme, Nabila Massrali, nuk saktësoi se kush do të marrë pjesë, por tha se takimi do të jetë “në formatin e zakonshëm të dialogut” dhe në të do të flitet për “gjetjen e zgjidhjeve”.

“Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut, i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimet e fundit për qarkullimin e valutave nga BQK-ja”, tha Massrali në konferencë për mediat.

Leave a Reply

Your email address will not be published.