A e rekomandoi ambasada e Kosovës një kosovar të pranojë dokumentet e Serbisë? MPJ deklarohet për rastin

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj para disa ditësh ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme se po vazhdon me skandale.

Kadrijaj duke akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë se një ambasadë e Kosovës i ka rekomanduar një kosovari, të pranojë dokumentet e shtetit serb.

Deputetja Kadrijaj në një deklaratë ka thënë se rasti ka ndodhur në ambasadën e Kosovës në Kroaci, të cilët sipas saj, nuk kanë trajtuar rastin e një kosovari i cili ka tentuar ta ndërrojë patentë-shoferin, të cilin e kishte marrë në ish Jugosllavi.

“Para lufte e ka marrë patentë shoferin në Gjakovë, dhe ka shkuar në autoritetet në Kroaci për me ripërtrirë, në Kroaci i kanë thënë se vendi ku e ka marrë patentë shoferin po del Serbi. Ai nuk ka pranuar, dhe i është drejtuar ambasadës tonë, duke thënë se Gjakova nuk është Serbi. Përgjigja që e ka marrë nga Martin Berishaj ka qenë ‘po pranoje ashtu siç është’. Dhe ambasada nuk ka ngritur atë çështje te autoritetet kroate. Qytetari ka qenë i shqetësuar me qasjen e ambasadorit”, ka thënë deputetja Kadrijaj.

Lidhur me rastin, është kontaktuar  Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilët në një përgjigje me shkrim thonë se nëse brenda Konsullatës së Kosovës në Kroaci ka pasur përgjigje jo të përshtatshme ndaj qytetarit, atëherë do ta trajtojnë rastin me seriozitet.

“Në lidhje me këtë rast, Ambasada i ka dërguar një Note Verbale autoriteteve kroate për të marrë më shumë informata rreth të dhënave që i janë kërkuar personit në fjalë dhe për çfarë deklarimi bëhet fjalë. Nëse brenda Konsullatës së Kosovës në Kroaci, ka pasur përgjigje jo të përshtatshme ndaj qytetarit në fjalë, atëherë ju sigurojmë se një gjë e tillë do të trajtohet me seriozitetin e merituar”, theksohet në përgjigjen e MPJD-së.

Ndryshe, ambasadori i Kosovës në Kroaci është Martin Berishaj, ku emërimi i tij në këtë pozitë vazhdon të kundërshtohet nga partitë opozitare në Kosovë.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.