Për shkak se gjykatësi Musa Konxheli mungoi për arsye familjare, ka dështuar të mbahet të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi ndaj të akuzuarit për përgatitje të sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI, Blend Vrajolli.
Vrajolli, po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, njoftoi se gjykatësi Konxheli mungon në seancë për arsye se ka rast vdekje, andaj në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme u shty për një datë tjetër.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 15 shtator 2023, ka ngritur aktakuzë kundër Blend Vrajollit, me nofkën “Ebu Ubejdi“, i cili ngarkohet se më 21 shkurt 2023, me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite përmes Aeroportit të Shkupit për në Kosovë, e me rastin e ndaljes dhe kontrollit në pikën kufitare Hani i Elezit, në stop-listë e duke sjellë mesazhin dhe harta të pranuara përmes profilitt të tij “Proxyal“ në rrjetin social “Telegram“ të pranuar nga personi me emrin “Dagllas“ Muhaxheri, ka bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë.
Sipas aktit akuzues, thuhet se Vrajolli kishte bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë, me materie të rrezikshme dhe vdekjeprurëse për jetën e njerëzve në kombinim me nitrate dhe kalcium, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI dhe në pikën kufitare Merdar, ku në të njëjtën ditë ai arrestohet nga Policia e Kosovës.
Me këto veprime, Vrajolli akuzohet se ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës“, nga neni 138, paragrafi 1 lidhur me veprën penale kryerja e veprës terroriste nga neni 129, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
DTV