Presidenca e Kosovës ka menduar të bëjë furnizimin e bufesë me kafe, sheqer e ëmbëlsira. Për këtë e ka rekomanduar për kontratë një kompani nga Vushtrria.
“Furnizim për Bufe të Presidencës”. Kështu quhet tenderi që prokurimi i Zyrës së Presidentes e shpalli fituese kompaninë “BMS SOLUTIONS L.L.C”.
Bëhet fjalë për: Kafe expresso për aparat (pako 1 kg), 300 kg. Lëngje vendore 100 % natyral, 200 ml pa sheqer dhe pa glyten, 4,500.00 copë. Sheqer në paketim letre njësi; 0.5 gr pa llogo, 150.00 kg. Ëmbëlsira të ndryshme për pritje protokollare 15 gr, 2,400.00 copë. Çmimi i këtij furnizimi do të jetë 6,476.43 euro.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), kompania është themeluar më datë 01/04/2021. Aktivitet primar, kompania e ka “Prodhimin e letrës dhe kartonit të valëzuar, si dhe ambalazhit prej letrës dhe kartonit”. Aktivitet sekondar e ka “Tregtinë me pakicë të gazetave dhe materialit të shkrimit, në dyqane të specializuara”. Po ashtu, ajo i ka të regjistruara edhe rreth 20 aktivitete të tjera dhe në asnjërën prej tyre nuk ka artikuj të konsumit, aq më pak kafe, sheqer apo ëmbëlsira.
Kjo kompani, e cila siç shihet është themeluar para tri viteve, në tregun e tenderëve në Kosovë ka hyrë kryesisht në vitin e kaluar duke bërë furnizime me kompjuterë.
Familjarët e pronarit të kompanisë kanë shpërndarë në të kaluarën vazhdimisht shkrime propaganduese për Lëvizjen Vetëvendosje.