Zyrtari i NATO-s: Sulmi në Banjskë, i papranueshëm – situata në Kosovë e brishtë

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse Ushtarake të NATO-s në Beograd, gjeneral brigade Giampiero Romano, ka thënë se në Kosovë situata është e qetë, por mbetet e brishtë.

Sipas tij, në përgjithësi rajoni ka bërë rrugë të gjatë që nga konfliktet e viteve të 90’ta, megjithatë ka ende arsye për shqetësim.

Në një intervistë për “European Western Balkans”, Romano ka përmendur edhe sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, duke e quajtur të papranueshëm.

“Në Kosovë situata është e qetë, por mbetet e brishtë. Ne pamë rritje të tensioneve dhe dhunës vitin e kaluar, duke përfshirë sulmet e paprovokuara dhe të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it majin e kaluar, dhe sulmet ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë shtatorin e kaluar”.

Ai tutje ka thënë se nuk ka pasur përparim të vërtetë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Ndërsa, ka theksuar se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet përshkallëzuese e retorika përçarëse si dhe të riangazhohen me mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Siç tha Sekretari i Përgjithshëm gjatë vizitës së tij në rajon, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe kaosit. Një Ballkan Perëndimor paqësor dhe i qëndrueshëm është i rëndësishëm për sigurinë tonë dhe për stabilitetin në të gjithë zonën euro-atlantike. NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj, duke përfshirë misionin tonë të KFOR-it në Kosovë, dhe Zyrën tonë Ndërlidhëse Ushtarake në Beograd dhe Shtabin e NATO-s në Sarajevë”, është shprehur gjenerali.

Gjeneral brigade Giampiero Romano është pyetur edhe për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shitjen e raketave “Javelin” për ushtrinë e Kosovës.

Ai ka thënë se këto janë vendime për të cilat duhet komentuar institucionet në Kosovë dhe SHBA.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO është plotësisht i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis paqësor dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX). KFOR-i ka një qëndrim fleksibil në terren, i cili rregullohet në bazë të vlerësimit tonë të situatës së sigurisë. Kjo na mundëson të përballemi me çdo sfidë që mund të lindë dhe të kontribuojmë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe në mbarë rajonin”.

Mes tjerash, Romano ka thënë se një Kosovë e qëndrueshme është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për sigurinë.

“Për më shumë se dy dekada, NATO ka kontribuar për një Kosovë paqësore dhe stabile. Mandati i OKB-së për misionin tonë paqeruajtës të KFOR-it është i pandryshuar. Ne vazhdojmë të mbështesim një mjedis të sigurt dhe të qetë për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”.

“Majin e kaluar, ne pamë dhunë kundër misionit tonë paqeruajtës të KFOR-it, duke lënë 93 trupa të NATO-s të plagosur, disa në gjendje të rëndë. Në shtator, ne pamë një shpërthim tjetër të dhunës së rëndë kundër Policisë së Kosovës në Banjskë. Kjo është e papranueshme. Duhet të vërtetohen faktet dhe autorët të dalin para drejtësisë”, ka theksuar ai.

Ka shtuar se që nga maji i kaluar, është rritur prania e KFOR-it në veri të Kosovës, me vendosjen e forcave rezervë dhe patrullimet shtesë.

Sipas tij, këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së.

“Në të njëjtën kohë, Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën dhe të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme. Ne mirëpresim hapat e fundit pozitivë për targat dhe zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon”, ka përfunduar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.