Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar se janë intensifikuar punimet e rrugës Prishtinë-Mitrovicë, duke thënë se ky projekt është investim infrastrukturor me rëndësi madhore për zhvillimin ekonomik.
Ai ka shkruar në Facebook të hënën se ka vizituar lokacionin ku po zhvillohen punimet, duke thënë se rruga është gjatë 9.78 kilometra, me katër korsi, secila prej tyre 3.75 metra gjerësi.
“Me gjatësi prej 9.78 km, punët ndërtimore përfshijnë zgjerimin e rrugës ekzistuese, rrugë kjo me katër korsi, me dy drejtime të ndara, me korsi secila prej 3.75m gjerësi, e po ashtu edhe me korsi ndihmëse në të dyja anët me gjerësi prej 2.0m, si dhe objekte ndihmëse dhe struktura tjera infrastrukturore si ura. Tani ky projekt është vënë në rrugën e duhur me intensifikimin e punimeve, një investim infrastrukturor me rëndësi madhore për zhvillimin ekonomik të vendit”, ka shkruar Aliu.
Ministri i ka uruar qytetarët për këtë projekt.
Javë më parë, Aliu ishte zotuar që rruga Prishtinë-Mitrovicë të finalizohet brenda këtij viti.