Pas Prekazit këto janë lokacionet ku do të kërkohen eshtrat e të pagjeturve

Gërmimet për të pagjeturit e që nisën para disa dite në Prekaz kanë përfunduar. Për mbetje mortore pritet të kërkohët edhe në lokacione tjera si në Skenderaj, Suharekë, Prizren e Tusuz.

Kështu po deklaron Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit në kuadër të Qeverisë së Kosovës. Gara thotë se këto gërmime vinë pas përmirësimit të kushteve të motit.

“Siç e kemi theksuar, me përmirësimin e kushteve të motit, kanë filluar gërmimet. Sipas dakordimeve gjatë takimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, mbajtur më 7 shkurt , gjatë këtyre javëve jemi të angazhuar në katër lokacione (Prekaz, Skenderaj, Suharekë, Tusuz dhe Prizren; dhe një lokacion për konfirmim identiteti në Podujevë ). Gërmimet në Prekaz tanimë kanë përfunduar dhe ditëve në vijim do të vazhdojmë në lokacionet tjera të lartcekura”, thotë Gara.

 

 

Gara deklaroi se për shkak të qasjes së Beogradit, sfiduese janë lokacionet për gërmime në Serbi.

“Përkundër kërkesave të vazhdueshme, sfiduese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë, për shkak qasjes politizuese të Beogradit kundrejt këtij procesi”, u shpreh ai.

Ai thotë se së shpejti pritët të ketë një takim në Kroaci lidhur me të pagjeturit.

“Takimi në Republikën e Kroacisë, është në kuadër të bashkëpunimit rajonal në zbatim të ‘Planit Rajonal për adresimin e rasteve të personave të zhdukur gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë ‘. Pra takim i Grupit Rajonal për Persona të Zhdukur, duke nënkuptuar pjesëmarrje e Republikës së Kosovës, Republikës së Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë”, përfundoi Gara.

Për procesin e gërmimeve të mërkurën është deklaruar edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini.

Ai tregoi se në gërmimet në Prekaz është gjetur një pjesë e një trupi.

Qerkini ka shprehur pakënaqësi kundrejt Qeverisë ‘Kurti’ për çështjen e të pagjeturve.

Ai thotë se tash e tre vite asgjë s’ka ndryshuar.

“Marrëveshjet kanë qenë pa nënshkrimin e asnjërës palë dhe këto janë përzier me politik dhe kjo nuk po i lenë me zhvillu asgjë, tash e tre vite edhe me këtë Qeveri asgjë e re s’ka ndodhur. As shpresë dhe as besim nuk kemi që do shkojë diçka përpara”, përfundoi Qerkini.

Që nga viti 1999, në territorin e Serbisë janë gjetur trupat e pajetë të më shumë se një mijë qytetarëve nga Kosova, të zhdukur në luftë.

Varreza më e madhe masive me trupa të shqiptarëve nga Kosova është gjetur në Batajnicë, lokacion afër kryeqytetit të Serbisë, Beograd. Në vitin 2001, atje janë gjetur trupat e 744 shqiptarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.