Të martën pasdite një tragjedi ka ndodhur në afërsi të pikës Kufitare “Dheu i Bardhë”, ku një person 69-vjeçar nga Ferizaj, dyshohet se ka rënë në lumin Morava duke humbur edhe jetën.
I ndjeri, bashkë me djalin dhe vajzën, ishte duke udhëtuar me makinë drejt pikës kufitare, por ai është afruar drejt lumit ku dyshohet se ka rënë aty aksidentalisht.
Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka bërë të ditur se rasti është nën hetime, derisa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
“Policia e Kosovës, Ranillug ka njoftuar se kanë marrë një informatë se një person mashkull shqiptar shtetas i Kosovës (1955) nga Ferizaj dyshohet se ka rënë në lumin Morava afër pikës kufitare ‘Dheu i bardhë’”, kishte njoftuar Hashani.
“Sipas informatave të para i ndjeri së bashku me fëmijët e tij (djalin dhe vajzën) me veturë ishin nisur në drejtim të PK “Dheu i bardhë ‘’. Në afërsi të parkingut afër pikës kufitare viktima është afruar afër lumit dhe dyshohet se ai aksidentalisht ka rënë në lumë”, ka shtuar tutje Hashani.
Në rrjetet sociale, saktësisht Aktivistë të Peshkimit kanë publikuar në Facebook momentin kur është gjetur trupi i pajetë i 69-vjeçarit.
Policia e Kosovës për rajonin e Gjilanit ka konfirmuar se videoja e publikuar është ajo e momentit kur është gjetur trupi i pajetë i 69-vjeçarit nga Ferizaj.
DTV