Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur në çështjen penale kundër të akuzuarit L.B, për shkak të veprës penale në bashkëkryerje shtytja për kryerjen e veprave terroriste dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
I akuzuari L.B është shpallë fajtor dhe është dënuar me dy vjet burg, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe në masën e arrestit shtëpiak nga data 15 maj 2023 deri me 07.03.2024 dhe dënim me gjobë në shumë prej 3.000 euro, të cilin i akuzuari duhet ta paguajë në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Nga i akuzuari gjykata konfiskon përgjithmonë sendet e luajtshme, si mjete që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe sendet që i nënshtrohen automatikisht konfiskimit, të cilat janë sekuestruar përkohësisht me vendimin e gjykatës, si sende të përdorura apo të destinuara për kryerjen e veprës penale.
Obligohet i akuzuari që në emër të shpenzimeve të procedurës gjyqësore, në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën 100 euro, në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, po ashtu obligohet i akuzuari që në emër të kompensimit të viktimave të krimit të paguajë shumën prej 100 euro, në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.