Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili së bashku me bashkëpunëtorë ka pritur në takim Ambasadorin e Suedisë në vendin tonë, Jonas Westerlund, shoqëruar nga Samuel Naumovski Vickius.
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga BQK.
Guvernatori Ismaili në fillim të takimit e ka njoftuar Ambasadorin Westerlund lidhur me aktualitetet në sistemin financiar të vendit, zhvillimet makroekonomike, perspektivën, objektivat dhe Planin Strategjik të BQK-së, nismat për avancimin e sistemit financiar, përfshirë projektin për modernizimin e sistemit të pagesave dhe synimin për anëtarësimin në Zonën e Vetme të Pagesave Euro të Bashkimit Evropian, i njohur si SEPA dhe Sistemin Evropian të Pagesave të Shpejta (TIPS).
“Guvernatori Ismaili falënderoi Ambasadorin Westerlund për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë së tij dhe popullit suedez për institucionet dhe popullin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, BQK ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për për progresin drejt digjitalizimit dhe bashkëpunimin potencial në këtë fushë me institucionet suedeze, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me bankën qendrore të Suedisë.
“Po ashtu u diskutua lidhur me avancimin e kornizës rregullative dhe ligjore, duke përfshirë Ligjin për Bankat, Ligjin për Shërbimin e Pagesave dhe ligje tjera, të cilat kanë si synim përafrimin me direktiva të BE-së”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, Ambasadori Westerlund është njoftuar dhe për kompletimin e Bordit Ekzekutiv të BQK-së, si dhe veprimet për kompletimin e Strukturës Organizative të BQK-së, e miratuar në fund të vitit të kaluar.
“Pjesë e diskutimit ishin sfidat dhe mundësitë e mbështetjes për anëtarësimin në Kartonin e Gjelbër për automjete, si dhe nevoja për të gjetur mundësitë për listimin e Republikës së Kosovës në platformat botërore të pagesave (PayPal, Apple Pay, Google Pay) dhe Kodin ISO, për të cilën u kërkua mbështetja edhe nga shteti suedez”, bënë të ditur BQK.
Gjithashtu, Guvernatori Ismaili e informoi Ambasadorin Westerlund edhe mbi Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, duke sqaruar aspektet kryesore, efektet dhe argumentet për pozicionin e saj.
“U sqarua se Rregullorja avancon integritetin e sistemit financiar dhe përafron Republikën e Kosovën me standardet e BE-së, si dhe ajo nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro, nuk kufizon aktivitetin këmbimor që kryhet nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK”, thuhet më tutje në njoftim.
Në këtë aspekt, Ambasadori Westerlund u njoftua edhe për Planin e BQK-së për zbatimin e kësaj Rregulloreje në praktikë, si dhe veprimet për lehtësimin e efekteve të saj, krahas angazhimit konstruktiv të BQK-së për lehtësimin e transferimit të mjeteve sipas modelit të propozuar dhe gatishmërisë për të diskutuar opsionet e mundshme ligjore.
Në fund, bëhet e ditur se u konstatua se do të ketë shkëmbime të mëtutjeshme të informacionit me qëllim të bashkëpunimit të mundshëm ndërmjet BQK-së dhe institucioneve suedeze në fushat e interesit të përbashkët.
DTV