Në ceremoninë e dhënies së çmimit tradicional “Shaban Jashari”, për mësuesen/in e vitit, në shënim të 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se nuk ka çmim e vlerësim të drejtë për mësuesen dhe mësuesin e mirë nëse çmimi nuk mbart një emër që ta ketë përkryer këtë funksion.
“Unë vetë jam udhëhequr aq shpesh nga figura e mësuesit”, tha Kryeministrim duke bërë më pastaj një reflektim mbi misionin e mësimdhënies në shoqëri.
Së pari, ai tha se mësimdhënia dhe mësimnxënia bëjnë lidhjen mes moshave. Pastaj, se shkolla lidh të shkuarën dhe të ardhmen.
“Ajo klasifikon, pedagogjizon mbi masën e pamendueshme të dijeve dhe formave që janë regjistruar në mijëvjeçar, i lidh këto dije mes tyre dhe i bën të qasshme për një brez që hyn si rishtar në bashkësinë e gjithanshme e të pamatshme të njohjeve. Pedagogjia është edhe art edhe dije. Duhet shumë art për të dhënë bindshëm këtë sasi dijesh”, u shpreh Kryeministri.
Në përfundim të fjalimit, duke iu uruar punë të mbarë, jetë të shëndetshme e suksese të reja, kryeministri Kurti tha se çdokush që ka besim te misioni i mësuesit, përfshirë edhe vetë mësuesit, e do atdheun e vet.
“Emri i zgjedhur në çmimin që do të merrni është një emër i lartë. Ai i Shaban Jasharit. Shaban Jashari është mësuesi që e ka shpalosur më mirë nyjen dialektike mes dijes dhe autoktonisë. Nuk ka dije të tepërt ndaj banimit të njeriut, dhe nuk ka autoktoni të mangët për dijetarin”, përfundoi kryeministri.
Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Tekonologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se sot është një ditë kur publikisht i gjithë vendi i përulet kontributit të mësimdhënësve. Është dita kur secila e secili prej nesh, i madh e i vogël ngrihet në këmbë për të thënë publikisht faleminderit të dashur mësues për punën që e bëni.
Sivjet çmimi “Shaban Jashari” iu nda katër mësimdhënësve që vijnë nga Komuna e Istogut, Komuna e Obiliqit, ajo e Prishtinës dhe e Rahovecit, kurse mirënjohje morën gjithsej 28 mësimdhënës.