43 vjet nga demonstratat e vitit 1981, Kurti: Revoltë gjithëpopullore ndaj regjimit të Jugosllavisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 43 vjetorin e fillimit të demonstratave të vitit 1981.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se sikur revolta e 4 marsit ashtu edhe demonstrata e 11 marsit, u shtypën me dhunë nga policia e Jugosllavisë ku po rritej dominimi i Serbisë

“Demonstratat e vitit 1981 ishin revoltë gjithë popullore ndaj një periudhe të gjatë ku shqiptarët në Jugosllavi ishin të nën përfaqësuar, të diskriminuar, të shtypur, të eksploatuar ekonomikisht, të kufizuar në të drejta kulturore dhe politike. Kështu, Kosova ishte lënë si zona më e pazhvilluar dhe më e prapambetur në Jugosllavi, porsi një koloni”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka theksuar se shumë nga aktivistët dhe të burgosurit e demonstratave të vitit 1981, do të angazhoheshin edhe në lëvizjen për çlirimin e Kosovës në dekadën pasuese, që kulmoi me çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999.

Postimi i plotë:

43 vite nga fillimi i demonstratave të vitit 1981

Këto ditë bëhen 43 vite prej demonstratave të vitit 1981, të cilat filluan më 11 mars të atij viti. Pas një revolte spontane për kushte më të mira në mensën e studentëve të Universitetit të Prishtinës më 4 mars, një javë më pas, u organizua demonstrata e parë masive e një serie të tillash, që në histori kanë hyrë si “Demonstratat e ’81-shit”. Sikur revolta e 4 marsit ashtu edhe demonstrata e 11 marsit, u shtypën me dhunë nga policia e Jugosllavisë ku po rritej dominimi i Serbisë.

Nga ky reagim u ngjiz një lëvizje e tërë e aktivizmit politik, që duke artikuluar politikisht pakënaqësinë e shqiptarëve të Kosovës ndaj pabarazisë në qasje të shtetit federativ të Jugosllavisë, brenda një muaji, nxori në rrugë për të demonstruar qindra mijëra njerëz të një popullsie të Kosovës asokohe diç më shumë se një milion e gjysmë. Demonstratat e vitit 1981 ishin revoltë gjithëpopullore ndaj një periudhe të gjatë ku shqiptarët në Jugosllavi ishin të nënpërfaqësuar, të diskriminuar, të shtypur, të eksploatuar ekonomikisht, të kufizuar në të drejta kulturore dhe politike. Kështu, Kosova ishte lënë si zona më e pazhvilluar dhe më e prapambetur në Jugosllavi, porsi një koloni.

Pas demonstratës së 11 marsit, u demonstrua edhe më 26 mars, më 1 dhe 2 prill 1981, si dhe në tubime e aktivitete të tjera. Të gjitha këto u shtypën egërsisht nga policia dhe aparati shtetëror i dhunës, pasuar nga përndjekje, gjyqe politike, burgosje, tortura dhe vrasje. Rreth një e treta e popullsisë së Kosovës u përfshi nëpër procedura ndalimi policor apo gjyqësor dhe marrje në pyetje përgjatë viteve në vijim, teksa mbi tre mijë të burgosur i kaluan mbi 25 mijë vite në burgje. Kështu më 1986, Kosova ishte vendi me numrin më të lartë të të burgosurve politikë në Europë. Menjëherë pas demonstratave të nisura si studentore më 1981 e të shndërruara në popullore, Universitetit të Prishtinës iu ndërrua emri dhe u quajt Universiteti i Kosovës në Prishtinë, deri më 1983 kur iu rikthye emri “Universiteti i Prishtinës”. 

Demonstratat e vitit 1981, e nxorrën parullën popullore “Kosova Republikë”, që për vite do të vazhdonte të shkruhej edhe si shkurtesë “KR”, nëpër mure e rrugë. Ajo prodhoi një gjeneratë të re të aktivistëve politikë që vetvetiu do ta merrte emrin “Brezi ‘81”. I asaj kohe, është edhe ky punim i Hydajet Hysenit, njërit prej organizatorëve të demonstratave të ’81-shit, i titulluar “Bisha unitariste”, e i cili reflektonte dorën e zgjatur të Moskës mbi zhvillimet në Jugosllavi (vëreni kthetrat mbi Slloveni, Kroaci, Kosovë dhe Vojvodinë). Shumë nga aktivistët dhe të burgosurit e demonstratave të vitit 1981, do të angazhoheshin edhe në lëvizjen për çlirimin e Kosovës në dekadën pasuese, që kulmoi me çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999.

Në kujtim të të gjithë të vrarëve nga policia gjatë dhe pas demonstratave të vitit 1981, si dhe në shenjë mirënjohje për përpjekjet e atij brezi për lirinë e Kosovës!

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.