Ndonëse kanë mbetur më pak se një muaj mandat, Komisioni Hetimor Parlamentar për Rezervat nuk po arrin të shtyjë para agjendën, pasi pushteti e opozita nuk po gjejnë dakordim që të shtyjnë përpara kërkesën për sjellje të dokumentacionit nga ana e Ministrisë së Industrisë, gjë e cila sipas partive opozitare, do të mund të luante rol në zbardhjen e së vërtetës në lidhje me keqpërdorimet e mundshme.
Për të shtyrë para agjendën, komisioni po mban mbledhjen e radhës, në të cilën nga shumica propozuan që të konsultohet Ligji për Qasje në Dokumentacion të Kualifikuar para se t’i kërkohen dokumente ministrisë.
“Para se të bëhet një kërkesë te ministria kam kërkuar që ta konsultojmë edhe Ligjin për Qasje në Dokumentacion të Klasifikuar. Ne do ta kishim një përgjigje nga Agjencia për Mbrojtjen e Dokumentacionit të Kualifikuar për një ditë ose dy. Nuk e kuptoj pse duhet ne të kemi vendime të tilla për mos hedhje në votim të një propozimi të një deputeti të pozitës. Nuk jam ithtar që të kemi mbledhje ku çështjet parimore që duhet t’i trajtojmë, siç janë propozimet e deputeteve, injorohen nga ana juaj. Edhe nëse është propozimi më i gabuar, ju mund ta hidhni në votim”, ka thënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni.
Ndaj tij reagoi kryesuesi i komisionit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj.
“Të gjithë e dimë se pse jemi duke ardhur në këtë moment dhe nuk kemi avancuar fare. Unë jam munduar ta ruaj një korrektësi edhe kur nuk keni pasur fare të drejtë. Edhe pse e kam parë që qëllimisht po e prolongoni punën e këtij komisioni”, ka thënë Qalaj.
Qalaj bëri të ditur se këtij komisioni do t’i përfundojë mandati më 6 prill, për çka tha se do të kërkojnë nga Kuvendi që i njëjti t’i vazhdohet edhe më tej.
E deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, ka thënë se ministria e ka për obligim që me një të tretën e nënshkrimeve të këtij komisioni t’i sjellë dokumentet.
“Nëse nuk i dërgon, ka përgjegjësi penale. Kemi tentuar të ju bindim edhe ju për të na u bashkëngjitur me një kërkesë racionale. Diskutimi nuk ka qenë korrekt. Keni ardhur këtu të paragjykoni. Kështu që unë kam vendosur ta bëjë kërkesën me një të tretën dhe nuk tërhiqem sepse ligji ma lejon. Jam duke e përfunduar listën e këtyre dokumenteve dhe në fund të mbledhjes do t’i kërkojë nënshkrimet”, ka shtuar ajo.