Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shpejtësia e internetit në Çabër të Zubin Potokut është rritur në 140 megabitë për sekondë, pas zëvendësimit të stacionit bazë të transmetimit dhe kalimit në teknologjinë e re të Ericsson.
Siç ka njoftuar kryeministri Kurti në rrjetin social Facebook, për një montim të tillë “dikur paguheshin nga 7500 deri 8500 euro kompanive private gjersa të punësuarit e Telekomit nuk punonin”.
Tash, sipas tij, punëtorët e Telekomit instaluan edhe 15 stacione bazë të reja në veri, nga vetëm pesë sosh sa ishin më parë.
Kryeshefja e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetarët e Bordit dhe Sindikatës, Shpëtim Dobra dhe Lamih Balaj, drejtorin teknik, Halil Krasniqin, dhe inxhinierët e tjerë, kanë inspektuar këtë të marte projektin në Çabrë.
Sipas kryeministrit Kurti, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit pati një thirrje publike të veçantë për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës: të jenë në shërbim të Republikës e të publikut dhe jo të oligarkëve që duan ta vazhdojnë rrjepjen dhe gjymtimin e Telekomit të Kosovës.