Ky është aktivisti nga Vushtrria, që vdiq dje në aksident trafiku

Një aksident trafiku ka ndodhur dje pasdite në Vushtrri në mes tri veturave, ku nga plagët e marra një person ka vdekur më pas gjatë trajtimit në QKUK.

Siç raportojnë mediat lokale të kësaj komune, viktima është aktivisti Mentor Merovci.

Për vdekjen e tij ka shkruar edhe kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

“Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z.Ferit Idrizi, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Merovci, pas ndarjes nga jeta të familjarit të tyre, humanistit dhe aktivistit Mentor Merovci. Në telegramin e ngushëllimit, kryetari Idrizi thekson se bashkëndien dhimbjen me familjen Merovci për humbjen e familjarit të tyre, derisa tha se Vushtrria humbi një humanist dhe një aktivist të palodhur në shërbim të qytetit të Vushtrrisë”, thuhet në faqen e Komunës së Vushtrrisë.

Po ashtu, për vdekjen e Merovcit ka ngushëlluar edhe organizata joqeveritare “Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën”.

“Me pikëllim të thellë, njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të Mentor Merovcit, mik dhe aktivist i palodhur në ‘Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën’. Mentori ishte një aktivist i jashtëzakonshëm, duke na frymëzuar të gjithëve me pasionin dhe përkushtimin e tij për një Kosovë më të pastër dhe më të gjelbër. Ne i dërgojmë ngushëllimet tona më të sinqerta familjes dhe miqve të tij. Humbja e Mentorit është një goditje e rëndë për komunitetin tonë, por fryma dhe ëndrrat e tij do të vazhdojnë të na udhëheqin. Do ta kujtojmë Mentorin si një hero të vërtetë të mjedisit në Kosovë dhe do të vazhdojmë të ndjekim rrugën që ai çeli përpara nesh. Pusho në paqe, mik i dashur!”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.