Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka hequr masën e arrestit shtëpiak të pandehurit Bekim Baftjaraj, lidhur me rastin e rënies së kulmit nga objekti i ri i Komunës së Prishtinës, ku mbeti e lënduar rëndë një kalimtare e rastit dhe u dëmtuan disa vetura të parkuara.
Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar.
Lirimin nga masa e arrestit shtëpiak e ka konfirmuar avokatja e të pandehurit, Besjana Ismajli.
“Po, klientit tim i është hequr masa e arrestit shtëpiak dhe i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar”, ka thënë Ismajli.
Bekim Baftjaraj nga kompania “NBT ING” SH.P.K. dhe Ylber Jashari, zyrtar i Komunës së Prishtinës, janë dy personat e dyshuar nga Prokuroria për rastin në fjalë.
Baftjaraj dyshohet për veprën penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.
Prokuroria pretendon se më datën 11 gusht 2023 – deri më datë 18 janar 2024, rreth orës 13:30 minuta, në lagjen Arbëria në Prishtinë, respektivisht nga Ndërtesa Kadastrale e Komunës së Prishtinës, i dyshuari Bekim Baftjaraj në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë “NBT ING” SH.P.K., i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore në kulm, ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.
Me këtë veprim sipas Prokurorisë “të rrezikshëm apo mjet të rrezikshme”, është konsideruar të ketë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe dëme të konsiderueshme pasurore.Prokuroria po ashtu pretendon se me rastin e punimeve i dyshuari Bekim Baftjaraj, nuk ka kryer si duhet punët në sanimin e kulmit të ndërtesës, me ç’ rast ka kryer punë tjera e jo ato sikurse në pozicionet 2.2 , 2.3 , 5.1 , 5.13 dhe 5.14, të kontratës.