Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, ka thënë se ka pranuar sot një material nga një qytetar që tregon se si një kompani për dy vite ka marrë rreth 59 kontrata nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar. Vlera e tyre, sipas Tahirit, shkon në 42 milionë euro.
Ai ka sqaruar se këto s’kanë qenë kontrata njëburimore, por ka thënë se e njëjta kompani ka marrë kontrata njëburimore në vlerë rreth 3 milionë euro për dy vite nga Ministria e Shëndetësisë.
Deputeti s’ka pranuar të tregojë se për cilën kompani bëhet fjalë.
“Në kohën sa po flisnim, një qytetar i Republikës së Kosovës ma dërgon një material jashtëzakonisht interesant dhe ma ofron një material se si një kompani për dy vite merr rreth 59 kontrata nga Qendra Klinike Universitare, SHSKUK në vlerë rreth 42 milionë euro. Pra, këtu jo kontrata njëburimore, por një kompani e vetme, të cilës sot s’po ia përmendi emrin sepse besoj paska nevojë për një hulumtim më të thellë, i merr rreth 59 kontrata, jo në Ministrinë e Shëndetësisë, në SHSKUK dhe klinika tjera, që vlera e tyre shkon në 42 milionë euro. E njëjta kompani merr kontrata njëburimore nga Ministria e Shëndetësisë për dy vite rreth 3 milionë euro, pra siç duket ky qenka një supermen që ofron shërbime që vështirë e kanë me i ofru dikush në Evropë e le më në rajonin tone”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka thënë se Komisioni Hetimor për këto kontrata është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar sot propozim-rezolutën lidhur me numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.
Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se gjatë Qeverisë Kurti 2, janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro.
Për këto të dhëna ajo i është referuar Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik. Sipas Bajramit, këto kontrata janë burim i korrupsionit.
“Sipas KRPP, gjatë këtij mandati qeverisës janë nënshkruar mbi 1800 kontrata njëburimore në vlerë mbi 240 milionë euro. Buxheti i shtetit dëmtohet me kontrata njëburimore sepse nuk merret vlerë për para, projekti kushton më shumë dhe kualiteti ka mundësi të mos jetë më i miri. Për më tepër, kjo është ndërhyrje e shtetit në ekonominë e tregut dhe ndikon në dëmtimin e konkurrencës së drejtë e mbi të gjitha këto kontrata janë burim i korrupsionit”, ka deklaruar Bajrami në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet Propozim-rezoluta për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të Qeverisë Kurti.