Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka bërë të ditur se më 1 mars 2024 është përmbyllur afati ligjor për subjektet politike të regjistruara për të dorëzuar në KQZ raportin vjetor financiar që përfshin periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023.
Sipas ligjit, edhe subjektet parlamentare, të cilat nuk janë të regjistruara si parti politike, por që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës duke marrë pjesë në zgjedhje si iniciativa qytetare, kanë detyrim që të dorëzojnë raportin vjetor financiar.
Në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike janë pranuar 51 raporte vjetore financiare, ndërsa 3 të tjera, si: Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Eko Lëvizja e Gjelbër, nuk i kanë dorëzuar ende këto raporte. Për shkak të mosdorëzimit, Zyra ka shqiptuar gjoba për tri subjektet politike të regjistruara me nga 4,000 Euro secilën prej tyre.