Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një reagimin publik ka folur për sulmin në Banjskë, dhe për vrasjen e Astrit Deharit.
KMDLNj në reagimin e bërë thotë se nuk pret që asnjëri nga këto dy raste të sqarohet deri në fund për shkak të ndërhyrjes dhe interesave krejtësisht politike.
“Më 22 shtator 2024, grupe të armatosura në Veri të Kosovës sulmuan policinë e Kosovës dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku. Sipas dëshmive të filmuara këto grupe udhëhiqeshin nga Milan Radojiçiq, i angazhuar në strukturat paralele policore dhe paramilitare në veri të Kosovës, që nga përfundimi i luftës. Në kohën e sulmit kundër policisë së Kosovës, Radojiçiqi ishte nr.1 përkrah ndikimi në Listën Serbe dhe një kohë edhe nënkryetar i saj”, thuhet në reagim.
Siç thotë KMDLNj, ky sulm u gjykua nga të gjithë dhe u cilësua si sulm terrorist mirëpo ndaj shtetit serb apo udhëheqësve të lartë serb nuk u ndërmarrë asnjë masë apo veprim kufizues apo ndëshkues.
“Politikanët kosovarë, në vend se të angazhohen për hetime profesionale, të pavarura dhe të pandikuara, këtë sulm u përpoqën ta përkthejnë në mundësi që, përmes marketingut folklorik të përfitojnë politikisht. Ndërkombëtarët prisnin një raport të kompletuar dhe të mbështetur në fakte ndërsa ministrat e papërgjegjshëm dhe të hendikepuar profesionalisht organizonin sfilata mediale duke komprometuar procesin e hetimeve që në fillim.
Në të njëjtën kohë, për të shtuar presionet politike mbi Prokurorinë Speciale të Kosovës me të vetmin qëllim që ta fusin nën kontroll, kërkonin nga Prokuroria Speciale që të ngritin aktakuzë kundër Milan Radojiçiqit duke deklaruar se provat janë në Zyrën e Prokurorit të Prokurorisë Speciale, pa dhënë asnjë sqarim se si Radojiçiqi, bashkë me grupin e armatosur u lejua të tërhiqej nga Kosova, pa therr në këmbë në kohën kur ishin cak shumë i lehtë për neutralizim nga Policia e Kosovës”, vijon reagimi.
Tutje, thuhet se, refreni i udhëheqësve më të lartë politikë kosovarë ishte: “pse ndaj Serbisë nuk po merren masa ndëshkuese për sulmin në Banjskë…thuaja që ndërkombëtarët janë këtu për t’i plotësuar dëshirat e tyre …”.
“Ambasadori i BE -së në Kosovë dhe zëdhënësi i BE -së deklaruan se janë në pritje të një raporti nga pala kosovare për rastin e Banjskës por që deri më tani ai raport mungon dhe se nuk mund të marrin asnjë vendim duke u mbështetur vetëm në deklaratat mediale të individëve, duke menduar këtu në ministrin e Punëve të Brendshme dhe një pjesë e stafit të tij që u shndërruan në yje mediatike duke dëmtuar pariparueshëm hetimet për këtë rast”, theksohet në komunikatë.
KMDLNJ shton tutje se “këta dy zyrtarë të lartë të BE -së deklaruan se hetimet për këtë rast mund të zgjasin me vite duke iu referuar edhe palës kosovare”.
“Në këtë rast, sulmi kriminal dhe terrorist në Banjskë, nga një rast tipik kriminal, me fajin e një pjese të padijshme të politikanëve kosovarë u shndërrua në çështje politike. Paralelisht me këtë, në mënyrë të paskrupullt, nga një segment i ndjeshëm i politikës kosovare u manipulua me rastin Dehari duke shkatërruar disa prova që ishin në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë të cilit, me dy raste, ose u bënë përpjekje për t’i vjedhur ato prova (ndoshta edhe janë vjedhur) ose, duke përdorur metoda radikale për asgjësim përmes zjarrëvënies, asnjëherë të sqaruar për opinion.
Ndërkombëtarët me kujdes e kanë përcjellur manipulimin me rastin Dehari andaj po mbahen të rezervuar edhe për rastin e sulmit terrorist në Banjskë. Prandaj po kanë dyshime dhe rezerva”, vijon njoftimi.
Tutje, KMLDNJ shton se “futja e Radojiçiqit dhe të tjerëve për sulmin në Banjskë në listën e Interpolit më shumë e shfajëson Serbinë se që ka për qëllim që ky rast të zbardhet pas së cilës do të sanksionohej Serbia për të cilën ndërkombëtarët janë të interesuar ta nxjerrin nga kjo situatë”.
“Me deklarata dhe manipulime politike nuk mund të kërkohet dhe sigurohet drejtësi për rastin Dehari dhe as përgjegjësi për rastin e sulmit terrorist në Banjskë . KMDLNj nuk pret që asnjëri nga këto dy raste të sqarohet deri në fund për shkak të ndërhyrjes dhe interesave krejtësisht politike. Këtyre as që iu konvenon që këto raste të zbardhen për t’u mos përballur me përgjegjësinë konkrete, që, pa asnjë dyshim edhe e kanë.
Dikush, për shkak të opurtunetit politik qartazi nuk po e thotë apo po e fshehë të vërtetën ose në marrëveshje po e bëjnë këtë. Opinioni në Kosovë po mbetet i hutuar, në mungesë të informatave”.